03.03.26
News
Programi i 8 marsit në Kino Armata sjell një përzgjedhje të filmave dokumentarë dhe eksperimentalë feministë që shtrihen nëpër gjeografi dhe periudha të ndryshme historike. Regjisoret dhe protagonistet e këtyre veprave këmbëngulin në jetë të plota me humor, dokumentojnë dhunën kolonialiste dhe i bëjnë të dukshme strukturat e pushtetit që margjinalizojnë punën shtëpiake, migrante dhe seksuale në sytë tanë dhe vizionin e kamerës. Përmes këtij programi shpresojmë ta orientojmë publikun kah rrënjët revolucionare të Ditës Ndërkombëtare të Grave Punëtore, e cila shpesh neglizhohet për shkak të një narrative më të depolitizuar të të drejtave të njeriut. Kjo narrativë shpesh i lë të paekzaminuara sistemet globale të seksizmit, racizmit, kolonializmit dhe formave të tjera të ndërthurura të shtypjes.
Programi i 8 marsit është mundësuar falë kontributit të Another Screen, një platformë dhe revistë feministe e filmit. Përmes mbështetjes së tyre, Kino Armata pati mundësi të shohë, përzgjedhë dhe sigurojë dokumentarë nga një seri programesh feministe të kuruara me shumë përkujdes dhe mund. Another Screen vazhdon punën vetëm falë punës vullnetare të stafit të saj andaj ju inkurajojmë të ndiqni punën e tyre dhe t’i mbështesni financiarisht sipas mundësive.
6 mars:
The Turtle’s Rage (2012) nga Pary El-Qalqili
The Turtle’s Rage eksploron dhimbjen e mërgimit përmes një konflikti midis brezave mes një babai palestinez dhe vajzës së tij. I shoqëruar nga një rrëfimtari jo-lineare, filmi lëviz midis bisedave në shtëpinë e tyre në Berlin dhe udhëtimeve drejt Palestinës. Në film, ne i shohim ata duke u grindur në aeroport, duke negociuar çmimin me shoferë të taksive, duke blerë pemë nga shitësit në rrugë dhe duke telefonuar familjarët me zhgënjim kur, në mënyrë arbitrare, atyre u mohohet kalimi i kufirit në Egjipt.
Filmi reflekton mbi mënyrën se si padrejtësia historike vajtohet, kujtohet, rrëfehet dhe njëkohësisht nuk rrëfehet. Në këtë proces, rrëfimi i përvojave të dhunës shfaqet si praktikë thellësisht e gjinizuar. I përmbajtur emocionalisht, Musa artikulon me këmbëngulje mërgimin si një përvojë kolektive dhe jo si plagë individuale. Megjithatë, mllefi i tij i breshës nuk nënkupton vetëm tërheqje por edhe protestë. Protestë dhimbjeje e mllefi si refuzim për të ecur para; për të normalizuar dhunën koloniale, zhvendosjen me forcë dhe humbjen e atdheut. Dokumentari përfshin gjithashtu dëshmi nga të afërmet e regjisores në Palestinë. Gra që rrëfejnë përvojat e tyre të dëbimit dhe plagët që mbesin e poashtu dhimbja e pranimit se kthimi në tokat e tyre mund të mos ndodhë kurrë. Në këtë film, gratë palestineze janë ato që bartin kujtesën ndër breza, ato që bartin historitë e humbjes dhe rezistencës, shpresës dhe dhe mungesës së saj, dëbimit dhe kthimit.
The Turtle’s Rage na fton të përballemi me dhunën njëkohësisht intime dhe kolektive të kolonizimit, regjimeve kufitare dhe zhvendosjes së detyruar të popullit palestinez. Na kërkon të dëshmojmë Musën dhe Paryn në pikëllimin, mllefin dhe dëshirën e tyre për njohje të ndërsjellë dhe rikthim në Palestinë.
7 mars
Ali in Wonderland (1975) nga Djouhra Abouda & Alain Bonnamy
Ali in Wonderland ekspozon gjendjen e punëtorëve/eve emigrantë/e algjerianë/e në Parisin e mesit të viteve të 1970-ta. Filmi paraqet një kritikë të kthjellët kundër shfrytëzimit dhe racizmit në metropolin evropian, duke e pozicionuar shtetin francez, kolonizimin, kapitalizmin dhe mediat si sisteme kryesore që prodhojnë dhe riprodhojnë shtypjen e racializuar. Në këtë ese eksperimentale, çdo zgjedhje estetike është në shërbim të një qëllimi politik: Ta bëjë të dukshëm e ndëgjueshëm punëtorin emigrant, një figurë pothuajse krejtësisht joprezente në kinemanë eksperimentale të asaj kohe. Ndërsa korniza e kamerës kap punëtorë/e emigrantë/e duke punuar në rrugë, një burrë algjerian rrëfen historinë e tij personale të migrimit, të shënuar nga racizmi, poshtërimi dhe malli për atdheun. Poashtu, regjisorja nuk i shërben një kauze politike nga distanca. Ajo është vetë bijë e emigrantëve/eve që dëshiron të përfaqësojë me filmin e saj. Ky film, është në thelb protestë politike e rrënjosur në përvojën dhe mllefin e saj përballë shtypjes.
Ali in Wonderland përballet me vazhdimësitë e kolonializmit në Parisin e viteve ’70, duke sjellë në vëmendje jetët e burrave dhe grave algjeriane, të cilët/at shteti francez i shfrytëzon për punën e tyre, por nuk i njeh kurrë plotësisht në mënyrë të plotë e të dinjitetshme. Nga pozicioni ynë, ndërsa përballemi me kriza të ndryshme socio-ekonomike, gjeopolitike dhe ekologjike në një nivel global, filmi na nxit të shqyrtojmë sistemet që tentojnë të na rekrutojnë në çnjerëzimin e punëtorëve/eve migrantë/e dhe komuniteteve të racializuara në Kosovë; puna e të cilëve/ave është e pazëvendësueshme por që shtyhet në padukshmëri në mënyra të ngjashme.
8 mars:
Duke përfshirë gjeografi të ndryshme, filmat në vijim e vënë në qendër luftën globale të grave kundër patriarkatit, kapitalizmit dhe racizmit. Qoftë në fushat e ullirit dhe fabrikat italiane, në studiot e fitnesit në Nju Jork, apo në klubet e natës në Brazil, këta filma dëshmojnë rëndësinë historike të grave që kanë teorizuar, punuar, organizuar dhe këmbëngulur që të jetojnë jetë të dinjitetshme e me barazi sipas termave të tyre..
Being Women (1965) nga Cecilia Mangini
Being Women është një dokumentar emblematik që i hapi rrugë lëvizjes feministe në Itali dhe më gjerë. Përmes këtij filmi, Mangini vë në kontrast imazhet tepër të seksualizuara të grave në reklama me tregimet e nënave dhe punëtoreve që përballen me barrën e gjinizuar të patriarkatit, kapitalizmit dhe religjionit. Ky film, përmban një seri intervistash të realizuara nga regjisorja me gra punëtore të cilat punojnë nga fushat me ullinj në Pulia deri në fabrikat e Milanit. Duke punuar në shtëpi, në fabrikë dhe në përballje me policinë, gratë në kornizat e Manginit artikulojnë ploti çështje klasore dhe gjinore, përfshirë këtu amësinë, punën shtëpiake, abortin, sindikalizimin dhe bojkotin.
Fannie’s Film (1981) nga Fronza Woods
Fannie’s Film është një dokumentar i shkurtër për një grua 65-vjeçare që punon si pastruese në një studio profesionale fitnesi në Nju Jork. Në këtë film, e ndjekim Fannien teksa pastron dhe rrëfen historinë e fëmijërisë, martesës, punës, shpresave, qëllimeve dhe ndjenjave të saj. Një film që zhvillohet në vitet e 1980-ta, filmi sfidon përfaqësimet dominuese e stereotipike të punëtoreve gra të zeza të cilat punojnë si pastruese, duke ofruar një portret kompleks me plot humor të një individi; puna, jeta dhe bota e brendshme e së cilës shpesh anashkalohen.
Street Lovers (1994) nga Eunice Gutman
Street Lovers, i cili zhvillohet në Brazil, është një dokumentar i shkurtër që na nxit të vëmë në pikëpyetje ndjeshmëritë dominuese ndaj seksualitetit dhe punës seksualenë një kontekst dhe kohë kur punëtoret e seksit luftonin për të drejtat e tyre. Filmi përmban një seri dëshmishë të punëtoreve të seksit, grave transgjinore dhe përfaqësueseve aktiviste prej grupeve të ndryshme avokuese, duke na çuar në Vila Mimosa, Praça Mauá, qyteza të Brazilit, dhe në klube të ndryshme të natës. Përmes protagonisteve, ftohemi të përballemi me realitetet komplekse e me plot nuanca të punës seksuale përmes syve të vetë punëtoreve të seksit dhe ideve të tyre mbi agjencinë, punën dhe seksualitetin.
-