EN

KINO ARMATA HAP THIRRJEN PËR PUNËTORINË E FILMIT ‘SKENA’

OPEN CALL FOR THE FILMMAKING WORKSHOP SKENA


1/

Kemi kënaqësinë të shpallim thirrjen e hapur për punëtorinë e filmbërjes SKENA, e dedikuar për të rinj dhe të reja që duan të mësojnë si të krijojnë një skenë të shkurtë filmi, të fokusuar në dialog. E zhvilluar brenda programit Neo_School, kjo punëtori është e orientuar në zhvillimin e aftësive kinematografike përmes punës praktike dhe bashkëpunimit grupor nën ligjërim dhe mentorim profesional përgjatë të gjitha fazave të zhvillimit të projektit.

Në këtë punëtori të ngjeshur (2-20 mars, 2026), pjesëmarrësit/et do të zhvillojnë një skenë filmi (1–2 faqe) duke kaluar nëpër fazat kryesore të procesit krijues: nga ideja fillestare dhe analiza dramaturgjike, zhvillimi i personazheve, shkrimi dhe rishkrimi i dialogëve, deri tek xhirimi dhe montimi i materialeve. Pjesëmarrësit/et do të angazhohen gjithashtu në punën me aktorë/e si dhe në ndërtimin e tregimit vizual përmes analizës së skenave, gjuhës së kamerës, zgjedhjeve të planeve dhe atmosferës, në leximin kritik të skenarëve, si dhe do të marrin role të ndryshme nëpër setet e njëri-tjetrit, duke fituar përvojë artistike dhe aftësi praktike në përdorimin e pajisjeve profesionale të kamerës, ndriçimit dhe zërit. Procesi do të shoqërohet nga mentorë/e dhe profesionistë/e të fushës, të cilët do të ofrojnë këshillim individual dhe grupor gjatë gjithë zhvillimit të projektit.

Pas 10 ditësh të orëve mësimore, pjesëmarrësit/et do t’i xhirojnë skenat e tyre duke shfrytëzuar hapësirat e Kino Armatës. Ndërkaq, faza përfundimtare do t’i kushtohet montimit të materialeve të xhiruara nën mbikqyrjen artistike të mentorëve. Programi do të përmbyllet me një shfaqje publike të të gjitha skenave të realizuara, përcjellur nga një diskutim me regjisorët/et.

Neo_School: SKENA mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe The European Endowment for Democracy (EED).

PSE SKENA?

SKENA është njësi themelore e kinemasë, një segment i vazhdueshëm i veprimit, dialogut ose ngjarjeve që zhvillohen brenda një hapësire specifike, i ndërtuar prej pamjeve të ndryshme, që marrin formë nëpërmjet montimit. Një skenë e krijuar mirë përmban fokus të qartë dramatik që e çon përpara ngjarjen duke i zhvilluar personazhet, duke zbuluar informacione ose duke krijuar konflikt. Konceptimi dhe realizimi i një skene filmi është një ndër pjesët më sfiduese të filmbërjes. Në Kosovë, filmbërësit/et e rinj/reja kanë qasje të kufizuar në trajnime të strukturuara me mentorim praktik. Punëtoria SKENA synon të krijojë një hapësirë për mësim, eksplorim dhe zhvillim të aftësive kinematografike përmes mentorimit, punës praktike dhe angazhimit grupor. 

KUSH MUND TË APLIKOJË? 

- Të rinj/të reja të interesuar/a në filmbërje.

- Studentë/e

- Të rinj/të reja të cilët/at kanë pak ose aspak përvojë regjisoriale/teknike.

SI TË APLIKONI:

- Aplikimi bëhet përmes formularit online i cili përmban pyetje të shkurta rreth motivimit dhe interesimit të aplikantëve/eve si dhe bashkëngjitjen e një skene të shkurtë:

- Aplikantët/et të cilët/at përzgjidhen në fazën e ngushtë do të ftohen në intervistë.

Afati i Aplikimit: 10 shkurt, 2026.

Për pyetje dhe informacione shtesë, na kontaktoni: <[email protected]