17.02.26
News
Gratë janë qendra e tregimit dhe fotografisë në veprat e regjisores hungareze Márta Mészáros. Ato janë fjalëpakë. Rebele. Në kërkim të vazhdueshëm të autonomisë së tyre. Disa janë nëna që punojnë në fabrikë. Të tjera e ëndërrojnë amësinë. Mészáros përkushtohet t’i portretizojë këto personazhe si të paepura, kryengritëse e të vetëvendosura me ngjarje që ndodhin përbrenda kufijve patriarkalë. Ajo i vendos ato pranë njëra-tjetrës në rrjedhat e vështira të detyrave, sfidave dhe punës në fabrikë, në shtëpi, restorant apo edhe hapësira institucionale në Hungarinë e viteve 1970. I vëzhgon kujdesshëm. Jetët e tyre i kap në afërsi gjatë kohës kur ditët u shpalosen mes kundërshtive të shumta, të shënjuara nga puna, amësia dhe presionet sistematike politike që i tjetërsojnë dhe i përhumbin por nuk mbërrijnë t’i përcaktojnë ato asnjëherë. Ky kompleks karakteresh vihet në lojë aq natyrshëm saqë shikuesit i krijohet përshtypja se ato nuk janë aktore; thua ti se Márta së pari i ka vëzhguar sjelljet dhe gjendjet e tyre e pastaj i ka inçizuar me kamerë. Në një intervistë të dhënë në vitin 2019, regjisorja i kishte përshkruar protagonistet e filmave të saj si të forta por të vetmuara. Vërtet, kontradiktat dhe ambivalenca janë të pranishme dhe të dukshme në pothuajse çdo kuadër. Personalitetet e tyre dokumentohen përmes gjesteve të ftofta, të largëta, të qeta, ngjashëm me hapësirat ku ato jetojnë - e që nuk janë thjesht ambiente simbolike por janë vende që i cysin karakteret drejt tensionit.
Programi Mbrëmë pashë ëndërr se po ngjeshja tulla sjell për herë të parë në Kosovë dy filma të gjatë nga Márta Mészáros. Filmi artistik Adoption (1975) është jo vetëm filmi i parë hungarez i shfaqur në Konkursin Zyrtar të Festivalit të Filmit në Berlinale, por edhe filmi i parë i një regjisoreje grua i cili rrëmbeu Ariun e Artë. Filmi ndjek jetën e Katës, një grua në moshë të mesme e cila jeton vetëm, punon në një fabrikë dhe zhvillon një miqësi me një adoleshente problematike, Anën, e cila jeton në një institucion përmirësimi për të rinj. Marrëdhënia e tyre zhvillohet teksa të dyja përpiqen t’u bëjnë vend ëndrrave, vendimeve dhe dashurisë. Kata ka arritur një pikë në jetën e saj ku dëshiron të bëhet nënë. Ajo është e dashuruar me Joskën, një burrë i martuar me fëmijë, i cili e do atë, por nuk është i gatshëm të lërë gruan dhe familjen e tij. Ana, nga ana tjetër, ka një të dashur, por familja e saj nuk pranon martesën e tyre. Teksa personazhet afrohen gjithnjë e më shumë, regjisorja fokusohet në portretizimin e ulje-ngritjeve në miqësinë e tyre dhe kujdesit që tregojnë ndaj njëra-tjetrës përballë një shoqërie që vazhdimisht i gjykon dhe nuk i pranon. Një strukturë e ngjashme shpaloset edhe tek jeta e Julit, një punëtore e re në filmin Nine Months (1976), e cila sapo ka filluar punën e saj në një fabrikë tullash. Aty protagonistja i bie menjëherë në sy kolegut të saj, Bodnar, i cili bie në dashuri me të dhe i propozon, pa e ditur se ajo ka një fëmijë jashtë martese. Përpos punës, July studion inxhinieri bujqësore, është e pavarur dhe e dhënë pas djalit të saj. Ndonëse ajo pranon të martohet me të dhe mbetet shtatëzënë, ajo nuk heq dorë nga studimet. Për nga karakteri, Bodnar është burrë tradicional që kërkon vëmendjen e vazhdueshme të Julit dhe dëshiron të ketë kontroll të plotë mbi të. Në fundin e filmit, ajo ndahet prej tij dhe merr vendim ta sjell në jetë fëmijën e saj, e vetme. Duke patur parasysh praktikën e regjisores, fundi i këtij filmi natyrshëm lexohet si akt feminist ku protagonistja zgjedh autonominë dhe dinjitetin pavarësisht vështirësive dhe strukturave patriarkale që synojnë ta diciplinojnë atë.
Programi është organizuar me ndihmën e kuratores Elizabeth Dexter dhe do të shfaqet me datën 20-21 shkurt, 2026 në Kino Armata. Programi nis në ora 19:00 dhe është i hapur dhe falas për të gjithë.