29.03.22
News
Kino ARMATA, hapësira publike në Prishtinë që promovon kulturë alternative dhe dialog shoqëror, ka kënaqësinë të njoftojë për bashkëpunimin me Ambasadën e Italisë në Kosovë dhe Istituto Italiano di Cultura në Tiranë në shfaqjen e disa prej punëve më të rëndësishme dhe relevante të autorëve italian para publikut të Prishtinës dhe Kosovës.
Filmat e Michelangelo Antonioni, Pier Paolo Pasolini, Federico Fellini, Bernardo Bertolucci, Roberto Rossellini, etj. do të kenë shfaqje të rregullta gjatë serisë programore '101' në Kino ARMATA. Në kuptim si akademik ashtu edhe joformal, 101 përcakton faktet bazike të lidhura me një fushë ose çështje të caktuar. Gjatë 101, ARMATA shndërrohet në fushë mësimi për fillestarë dhe entuziastë, duke ofruar këndvështrim të freskët mbi disa prej filmave dhe autorëve më me ndikim të kohës sonë.
Filmat nga seria 'ANTONIONI 101 / Italian Cinema Masters' me regji të Michelangelo Antonioni do të shfaqen në Kino ARMATA mes 25–28 prill 2022 dhe përfshijnë:
E hënë, 25 prill 20:30h
"L'Avventura" (1960), 143 min.
E martë, 26 prill, 20:30h
"La Notte" (1961), 122 min.
E mërkurë, 27 prill, 20:30h
"Il Deserto Rosso" (1964), 120 min.
E enjte, 28 prill, 20:30h
"Il Grido" (1957), 116 min.
Michelangelo Antonioni (1912–2007) ishte regjisor, producent, redaktor, autor i tregimeve të shkurtra dhe skenarist italian, i njohur për filmat e tij estetik në detaje, intelektualisht sfidues, por gjithashtu dyshues dhe në kërkim të së vërtetës. Ai u koncentrua më shumë në përfaqësimin dhe dizajnin e prodhimeve të tija enigmatike, se sa në rrëfim dhe personazhet e filmit, duke favorizuar soditjen para aksionit. Puna kryesore që e karakterizoi këtë regjisor unik "i cili ridefinoi konceptin e kinemasë narative" dhe rezistoi mënyrës konvencionale të rrëfimit ishte trilogjia që përfshinë filmat ‘L'Avventura’, ‘La Notte’ and ‘L'Eclisse’, të prodhuara në fillimin e viteve 1960. Opusi i tij i gjerë filmik përfshinë edhe filmat si ‘Story of a Love Affair’, ‘Le Amiche’, ‘Blow-Up’, ‘The Passenger’ dhe ‘Zabriskie Point’, pos tjerash. Kontributi i Antonionit në kinema u shpërblye me Oscar Nderi në vitin 1995. Gjatë karierës ai ka pranuar ‘Shiritin e Argjendtë’ tetë herë nga 'Sindikata Kombëtare Italiane e Gazetarëve të Filmit'. Ai mbetet njëri prej tre regjisorëve i cili është shpërblyer me 'Ariun e Artë', 'Luanin e Artë' dhe 'Palmën e Artë', dhe i vetmi i cili është shpërblyer me 'Leopardin e Artë' pos tri shpërblimeve të lartëpërmendura.
Të gjitha filmat do të shfaqen në gjuhën origjinale me titra shqip dhe anglisht dhe hyrja është falas. Kino ARMATA përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe gjindet në Rr. Brigada e Kosovës, prapa amfiteatrit të Sheshit Zahir Pajaziti.